Si funksionon linja
Procesi fillon me vendosjen e materialit panelor në tavolinën ngritëse pranë makinës CNC nesting. Materiali mund të vendoset me pirun transportues ose me sistem/robot të automatizuar, në varësi të konfigurimit të linjës dhe nivelit të automatizimit të kërkuar.
Pas vendosjes, vijon etiketimi automatik i panelit. Në material ngjiten etiketa me barkod, dimensione dhe informacione për secilin element, duke siguruar gjurmueshmëri të plotë gjatë gjithë procesit të prodhimit.
Më pas paneli transportohet drejt makinës CNC nesting. Makina e merr automatikisht materialin me sistem vakumi, e pozicionon dhe fillon prerjen me precizion të lartë. Pas përfundimit të prerjes, elementet e gatshme transferohen automatikisht në shiritin transportues, ndërsa paralelisht përgatitet paneli i ri i papërpunuar. Në këtë mënyrë reduktohet koha e vdekur dhe arrihet shfrytëzim maksimal i makinës.
Elementet e gatshme më pas merren nga sistemi robotik, i cili i vendos në shiritin transportues dhe i drejton drejt makinës së kantimit. Nëse procesi nuk është plotësisht i sinkronizuar në një moment të caktuar, para kantueses është vendosur një sistem lift/bufer që i magazinon përkohësisht elementet derisa të lirohet pozicioni i ardhshëm i punës. Kjo mundëson që linja të vazhdojë të punojë në mënyrë stabile dhe pa ndalesa.
Në seksionin e kantimit, elementet përpunohen automatikisht sipas rendit të përcaktuar. Sipas nevojës, një urë/sistem robotik i merr dhe i rrotullon elementet në anën përkatëse, varësisht nëse duhet të kantohen në dy, tre ose katër anë. Elementet që kërkojnë kantim shtesë vazhdojnë në drejtimin përkatës, ndërsa elementet e përfunduara dërgohen në fazën e ardhshme – CNC shpim.
Para makinës CNC për shpim është vendosur një tjetër sistem lift/bufer, i cili mundëson magazinimin e elementeve kur është e nevojshme, në mënyrë që e gjithë linja të punojë në mënyrë të sinkronizuar. Më pas elementet vazhdojnë drejt CNC shpimit, ku realizohen automatikisht operacionet e nevojshme: shpime, vrima anësore, kanale, vrima për lidhës, mentesha dhe përpunime të tjera, sipas projektit.
Pas përfundimit të shpimit, elementet vazhdojnë drejt seksionit të sortimit automatik. Aty sistemi robotik i merr elementet e gatshme dhe i sorton në magazinë vertikale sipas numrit, porosisë, dimensioneve ose strukturës së produktit. Softueri e di saktësisht nga sa elemente përbëhet një produkt, si p.sh. komodë, element kuzhine ose garderobë, dhe i lëshon elementet sipas rendit më të përshtatshëm për paketim, montim ose logjistikë të mëtejshme.
Kontroll i plotë softuerik
E gjithë linja kontrollohet përmes softuerit. Në çdo moment mund të ndiqet se çfarë po përpunohet, në cilën fazë ndodhet secili element, cili është kapaciteti aktual dhe si funksionon procesi i prodhimit.
Sistemi është i lidhur me softuerë për dizajn dhe nesting, lista pjesësh, sistem barkodesh, programe shpimi dhe formate të ndryshme skedarësh si DXF, NC, MPR, XML, CIX, TXT, XLS dhe të tjera, në varësi të nevojave të klientit.
Me një sistem të tillë arrihet organizim më i mirë, më pak gabime, shfrytëzim më i mirë i materialit, kapacitet më i lartë dhe varësi dukshëm më e vogël nga koordinimi manual ndërmjet operatorëve.
Kapaciteti dhe hapësira
Konfigurimi bazë i një linje të tillë mund të arrijë kapacitet deri në 80 panele në një ndërrim pune, në varësi të llojit të materialit, dimensioneve të elementeve, numrit të operacioneve, numrit të kantimeve dhe strukturës së porosive.
Për një linjë standarde të këtij lloji nevojitet hapësirë prej afërsisht 1000 m², në varësi të layout-it konkret, mënyrës së lëvizjes së materialit, hapësirës së magazinimit, sistemit të sortimit dhe pajisjeve shtesë.
Linja mund të zgjerohet sipas kapacitetit të kërkuar. Në varësi të prodhimit, mund të konfigurohet me 2, 3 ose 4 makina CNC nesting, 2, 3, 4 ose më shumë kantuese, 2, 3, 4 ose më shumë makina CNC për shpim, sisteme shtesë transporti, pozicione robotike, buferë dhe sisteme automatike sortimi për të arritur kapacitetin e nevojshëm.
Konfigurim individual sipas nevojave të klientit
Çdo linjë prodhimi projektohet individualisht sipas nevojave reale të klientit. Nuk ekziston një zgjidhje universale për të gjithë prodhuesit, pasi çdo fabrikë ka lloj të ndryshëm produkti, dimensione të ndryshme materiali, kapacitet të ndryshëm, hapësirë të ndryshme dhe nivel të ndryshëm automatizimi.
Gjatë përgatitjes së ofertës analizohen:
• lloji i prodhimit: kuzhina, garderoba, mobilie korpusore, prodhim serik ose mobilie sipas porosisë;
• dimensionet e paneleve;
• trashësia e materialit;
• dimensionet minimale dhe maksimale të elementeve;
• numri i kantimeve;
• lloji i shiritit të kantit dhe sistemi i ngjitjes (PUR, EVA);
• operacionet e nevojshme të CNC shpimit;
• sistemi i aspirimit;
• kapaciteti i kërkuar për ndërrim;
• mënyra e sortimit;
• niveli i automatizimit;
• softueri ekzistues ose i planifikuar;
• hapësira e disponueshme në prodhim;
• linjë shtesë për paketim me karton.
Në varësi të nevojave, linja mund të jetë plotësisht e automatizuar ose e kombinuar me faktor njerëzor në pozicione të caktuara. Qëllimi është të ofrohet zgjidhja më praktike dhe ekonomikisht e arsyeshme për prodhimin konkret, pa investime të panevojshme në pajisje që klienti realisht nuk do t’i përdorë.
Për kë është e dedikuar kjo linjë
Ky lloj linje të automatizuar është i dedikuar për prodhues që tashmë kanë volum serioz pune dhe dëshirojnë të bëjnë hapin e ardhshëm në organizimin e prodhimit.
Veçanërisht është e përshtatshme për kompani që kanë nevojë për:
• kapacitet më të lartë ditor;
• më pak manipulim manual me elementet;
• reduktim të gabimeve në prerje, kantim dhe shpim;
• gjurmueshmëri më të mirë të çdo elementi;
• sortim automatik sipas porosive;
• paketim dhe përgatitje më të shpejtë për montim;
• shfrytëzim më të mirë të hapësirës dhe fuqisë punëtore;
• proces stabil që nuk varet plotësisht nga përvoja e operatorëve.
Mbështetja dhe konsultimi nga RADEK
RADEK nuk ofron vetëm makina, por një zgjidhje të plotë prodhimi. Ekipi ynë merr pjesë në analizën e nevojave, përzgjedhjen e konfigurimit të përshtatshëm, përgatitjen e ofertës, organizimin e dorëzimit, montimin, vënien në punë, trajnimin e detajuar të operatorëve dhe mbështetjen teknike.
Nëse planifikoni automatizimin e prodhimit të mobilieve nga pllaka, kontaktoni ekipin e RADEK. Së bashku do të analizojmë nevojat tuaja dhe do të propozojmë një zgjidhje që është praktike, e zgjerueshme dhe e përshtatur për prodhimin tuaj. Në bazë të informacionit të marrë përgatitet një zgjidhje teknike që i përshtatet më së miri produktit, kapacitetit, hapësirës dhe buxhetit të klientit.
RADEK është sinonim i cilësisë, precizionit dhe besueshmërisë afatgjatë në industri. Çdo makinë prodhohet në përputhje me standardet më të larta industriale, duke përdorur vetëm komponentë të provuar dhe me cilësi të lartë. Me përkushtim ndaj çdo detaji teknik – nga dizajni deri te testimi përfundimtar – ne garantojmë jetëgjatësi dhe funksionim të përsosur të makinave. Deri më tani, RADEK ka instaluar me sukses mbi 4.500 makina në Maqedoni dhe në gjithë rajonin e Ballkanit, duke vendosur standarde të reja për efikasitet, mbështetje dhe besim..